Rukiqi: Mosmiratimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike mund të shkaktojë dëme të pariparueshme
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka vlerësuar se vonimi i miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, rrezikon që vendin ta shpije në një kolaps ekonomik.
Ai ka thënë se dëmet që mund të shkaktohen nga vonesa e miratimit të këtij projektligji, siç janë mbyllja e bizneseve apo humbja e vendeve të punës, do të jenë të pariparueshme.
“Sa më shumë që po vonohet votimi i Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike, kriza po thellohet, dhe pastaj kur të fillohet është shumë vështirë të rikuperohet. Disa dëme janë të pariparueshme. Nëse vijmë në situatë për tu mbyllur mijëra biznese, dhe mijëra vende pune, ato nuk i rregullon asnjë ligj dhe përkrahje financiare. Ne jemi në fazë shumë delikate dhe e secila ditë po bëhet më e vështirë”, ka thënë Rukiqi në një intervistë për “EO”.
Ai ka kritikuar deputetët e Kuvendit, që sipas tij, nuk kanë vullnet për ta miratuar këtë projektligj.
Rukiqi ka theksuar se mirëqenia e politikanëve dhe militantëve që kanë punësuar nuk është rrezikuar, por se shumica e qytetarëve janë prekur nga kriza që ka shkaktuar pandemia.
“Ajo që unë po shoh te skena politike është dështimi për ta lexuar situatën. Shumica prej tyre nisen prej një pozicioni komod që e kanë. Përderisa ata nuk janë të ndikuar nga kriza, për këtë pjesë të skenës politike pozitë dhe opozitë, nuk ka një lloj urgjence për të vepruar. Situata është shumë ma ndryshe se është shkaktuar nga pandemia dhe janë globale. Këto raste i kemi këtu dhe mund të shumëfishohen dhe pastaj nëse nuk intervenohet në kohën e duhur me mekanizma të duhur ne do ta shohim një kolaps ekonomik shumë shpejt”, ka thënë Rukiqi.
Sipas tij, në bazë të dhënave zyrtare krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit për shkak të pandemisë dëmi i përgjithshëm në ekonomi ose rënia e qarkullimit tek bizneset ka arritur vlerën 1 miliard euro.