Rukiqi, prodhuesve: Mos e ndalni prodhimin, s’e keni të ndaluar
Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, Oda e Afarizmit dhe Shoqata e Kontabilistëve kanë mbajtur një konferencë për media për masat që i kanë ndërmarrë në shërbim të mbrojtjes së bizneseve për të përballuar situatën e krijuar pas shfaqjes së koronavirusit në vend.
Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që të shtyhet pagesa e kredive për bizneset dhe qytetarët. “E para është shtyrja ose riprogramimi i kredive që të mos ketë presion te bizneset ose qytetarët. E dyta, shtyrja e raportimit financiar. E treta, lidhet me këtë qartësimin ose me një qarkore që do ta japë një sqarim për masat e ndërmarra, siç është lirimi i njërit prind nda puna”, ka kërkuar ai.
Po ashtu, ai në këtë konferencë ka kërkuar që të mos ndalet prodhimi. “Kujdesi është i domosdoshëm, por nuk duhet të ndalet prodhimi, sepse rrezikon furnizimin në këtë kohë të krizës. Punëtorët në veprimtaritë prodhuese që janë të nevojshme nuk janë të ndaluar të dalin në punë”, tha Rukiqi.