Rukiqi thotë se partitë politike duhet të kenë strategji zhvillimore
Kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Berat Rukiqi, në një konferencë për medie ka thënë të martën se Kosova ende përballet me mungesën e investimeve direkte dhe me një shkallë të lartë të papunësisë.
Ai në këtë konferencë ka prezantuar edhe Gary Dirks, kryetar i bordit këshillëdhënës për sektorin privat në kuadër të OEK-ut. Rukiqi ka thënë se ky bord do të përbëhet nga ekspertë të huaj të cilët do të japin këshilla në sektorin e ekonomisë, arsimit dhe energjetikës.
Rukiqi ka theksuar se ndër prioritetet e qeverisë së ardhshme duhet të jetë rritja e eksportit dhe investimet në sektorin privat.
“Në kohë zgjedhjesh sektori privat nuk ka ndonjë dinamikë. Ne jemi duke i bërë matjet se si kanë ndikuar zgjedhjet në biznes. Remitencat publike janë motorët kryesorë të rritjes ekonomike. Nëse nuk kemi investime private të rritjes të eksportit ne s’mund të kemi rritje ekonomike pa këto. Thërras qeverinë e re që, kur të flasë për rritjen ekonomike, paraprakisht të flasë se si bëhet rritja ekonomike. Prioritete të qeverisë së re duhet të jenë eksporti dhe investimet në sektorin privat. Ne ende jemi vendi me papunësinë më të lartë në regjion. Kemi problem me papunësi, pra ky problem është me ritme më të theksuara”, është shprehur ai.
Sipas Rukiqit, qeveria e re duhet ta vazhdojë reformën ekonomike dhe nuk duhet të ketë rritje të taksave pasi, sipas tij ndikon tek investitorët e brendshëm dhe të huaj.
“Kompanitë tona për të qenë konkurruese duhet të dalin dhe të eksportojnë. Ne besojmë se këto janë tema që duhet të merret qeveria në ardhje dhe duhet të vazhdojë reforma ekonomike, dhe mos të ketë rritje të taksave pasi kjo është goditje për investitorët e brendshëm dhe të huaj. Këto janë temat me të cilat duhet të merret qeveria e re, por është me rëndësi mos të kemi rritje të taksave. Ne duhet ta mbajmë këtë politikë të taksave të ulëta. Duhet të kemi kujdes me investimet kapitale. Partitë politike kanë folur për eksportin, investimet e huaja dhe arsimin e dyfishtë, por nuk kanë treguar se si duhet t’i zbatojnë këto. Partitë kanë folur për gjëra që nuk na dërgojnë në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka deklaruar ai.
Rukiqi ka folur edhe për strategjinë zhvillimore, respektivisht të rritjes së eksportit, për të cilën ka thënë se asnjë parti politike nuk ka prezantuar një strategji të mirëfilltë të rritjes së eksportit.
“Ne kishim deklarata nga zyrtarët e partive politike se kaq do të jetë rritja ekonomike, por nuk thoshin se cilat janë burimet që do të çojnë në rritje ekonomike. Po ashtu, zyrtarët e partive politike nuk kanë prezantuar strategji zhvillimore. Po të kishim për ta votuar ndonjërën strategji, nuk e di se cilën do ta votoja. Partitë politike tregojnë se si do të vijnë deri te rritja ekonomike dhe çdoherë do të duhej të kishin parasysh parakushtet siç janë: Sundimi i ligjit, luftimi i informalitetit, edukimi dhe investimi në energji”, ka thënë Rukqi.
Gary Dirks, kryetar i bordit këshillëdhënës për sektorin privat në OEK, i cili, po ashtu, është edhe profesor në Arizona State University, ka theksuar se të rinjtë e Kosovës janë invatorë dhe mund të krahasohen me vendet e tjera gjë që, sipas tij, kjo përbën edhe kapacitet ekonomik për investime.
Ai ka folur për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Dirks ka theksuar se nuk duhet të hiqet nga tavolina ky projekt, pasi Kosova ka kapacitete më të mëdha në energji. “Jam i bindur se Kosovës i duhen më shumë kapacitete për energji elektrike. Një mundësi që mund të realizohet janë edhe investimet solare. Duke e ditur se keni një termocentral të vjetër i cili duhet të mbyllet, Kosova nuk mund të heqë dorë prej termocentralit, pra nuk duhet ta largojë prej tavolinës një projekt si termocentrali ‘Kosova e Re’”, ka deklaruar Dirks.
/Albulena S. MAVRAJ – Epoka e re/