RUSËT E KANË VËRSHUAR KREJT PARISIN

25 qershor 2019 | 15:14

ERNEST HEMINGUEJ

Toronto Daily Star/25 shkurt 1922

Parisi i sotëm është plot me rusë. Ish-aristokracia ruse është shpërndarë në krejt Evropën. Menaxhojnë restorante në Romë, çajtore në Capri, punojnë si portierë hotelesh në Nice e Marsejë dhe si hamaj në portet e mëdha të Mesdheut. Por rusët që ia kanë dalë të merrnin me vete pak para a ndonjë gjë me vlerë, duket se ia kanë mësyrë Parisit.
Po sillen kot poshtë e lart Parisit me njëfarë shprese fëmijërore se gjërat do ta marrin disi të mbarën, që është inkurajuese kur nuk e mendon thellë dhe sigurisht se të dalin mendtë prej kresë pas disa muajsh. Kurrkush nuk e di si jetojnë, pos nëpërmjet shitjes së xhevahireve të vjetra dhe stolive të praruara, ose plaçkave të familjes që i kanë marrë me vete në Francë kur mbathen para revolucionit.

Sipas menaxherit të një argjendarie të njohur në Rue de la Paix, perlave u ka rënë çmimi përtokë sherri i numrit të madh të perlave të bukura që u janë shitur argjendarëve parisienë prej refugjatëve rusë. Është e vërtetë se shumë rusë po bëjnë jetë qejfi në Paris tani pas shitjes së xhevahireve që i kanë sjellë me vete në ekzil.

Por kurrkush nuk e di se si do të jetojnë njerëzit e kolonisë ruse në Paris kur t’u harxhohen xhevahiret dhe krejt gjësendet e çmuara. Është e pamundshme në kushte të zakonshme që një grup i madh njerëzish t’ia bëjë vetes qejfin pafundësisht duke huazuar para, megjithëse një grushti njerëzish u shkon jeta fjollë edhe për njëfarë kohe. Afërmendsh se gjërat mund të ndryshojnë në Rusi, ose mund të ndodhë farë mrekullie sa për t’ia ngjitur dorën kolonisë ruse. Ka një kafene në bulevard “Mntparnasse”, ku një numër i madh rusësh mblidhen përditë, në pritje të kësaj mrekullie dhe për ta kujtuar kohën e vjetër të lavdishme të carit. Por ka goxha shumë mundësi se as mrekullia e as e papritura nuk do të jetësohen pastaj, eventualisht, si krejt bota mbarë, edhe rusët e Parisit do t’i kthehen punës.
Është për keqardhje, sepse janë soj simpatik.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është publikuar bashkëpunimi i Genc Prelvukajt me Aurela Gaçen. Ata…