Rusët mendojnë se janë të parët e botës: Vaksina kundër Covid-19 po pret 10 gushtin
Rusia synon të jetë vendi i parë në botë që do të miratojë një vaksinë kundër koronavirusit, brenda më pak se dy javësh, edhe pse shqetësimet për sigurinë dhe efektivitetin e saj janë ende të pranishme. Sipas CNN, zyrtarët rusë po punojnë duke pasur objektiv datën 10 gusht për miratimin e vaksinës që është krijuar nga instituti “Gamaleya” në Moskë. Vaksina pritet të miratohet për përdorim publik, por me kategori të përzgjedhura. Punonjësit e shëndetësisë do ta marrin të parët: “Është një moment si ai i Sputnikut”,- tha Kirill Dimitriev, shef i fondit sovran të Shëndetësisë në Rusi, i cili ka financuar kërkimet për vaksinën, duke iu referuar prezantimit të satelitit të parë në botë nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1957.
Duke krahasuar ngjarjen e famshme të Sputnikut, Dimitriev shtoi se “amerikanët u habitën kur dëgjuan sinjalin e Sputnikut. E njëjta gjë po ndodh edhe me vaksinën kundër Covid-19. Rusia ia doli e para”.
Por Rusia nuk ka publikuar të dhëna shkencore për testimet e vaksinës së saj, shkruan më tej CNN, ndaj nuk ka mundur të verifikojë sigurinë dhe efikasitetin e saj.
Grupi i kritikëve thotë se nxitimi për një vaksinë vjen në mesin e presionit politik nga Kremlini, që do ta portretizojë Rusinë si një forcë globale shkencore. Ka edhe shqetësime se testimi i vaksinës tek njerëzit nuk është i plotë. Dhjetëra testime vaksine po zhvillohen nëpër botë dhe një numër i vogël janë në provat e efikasitetit në shkallë të gjerë, por pjesa më e madhe e prodhuesve kanë tërhequr vëmendjen se nevojitet ende shumë punë para se vaksinat e tyre të miratohen.