Rushiti: Dënimi i Vukotiqit, shpresë për drejtësi për të mbijetuarit e tjerë
Dënimi i ish-policit serb, Zoran Vukotiqit për dhunën seksuale është një rast historik për faktin që për herë të parë, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë marrë një vendim në favor të viktimës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila e ka iniciuar rastin në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Është rast historik dhe për neve ka qenë emocion i paparë, përtej grupit me të cilin punojmë”, ka thënë Rushiti.
Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiq për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.
“Mendoj që është një rast që i motivon gratë dhe burrat që të kërkojnë drejtësi, për faktin që shumë nga këto gra dhe burra që janë dhunuar gjatë luftës kanë deponuar rrëfime, gjësende, fakte, argumente në administratën e OKB-së, por edhe në periudhën e EULEX-it. Fatkeqësisht, asnjëri nga ata nuk ka fituar drejtësi”, ka thënë Rushiti.
Megjithatë, ajo ka deklaruar se nuk janë të kënaqur me kohëzgjatjen e dënimit dhe se do të bashkëpunojnë me prokurorinë e Kosovës që ky rast të apelohet, për të kërkuar një dënim më të lartë.
Në këtë rast, identiteti i viktimës nuk është publik, por Rushiti ka shtuar se të mbijetuarit e dhunës seksuale që vijojnë në QKRT, kanë deklaruar që ka edhe të mbijetuar të tjera që kanë qenë pre e dhunimit nga po i njëjti dhunues, Zoran Vukotiq.
Sipas Rushitit, Vukotiq është në burg pasi është i dënuar edhe për një vepër tjetër penale.
“Në momentin kur e mbijetuara e ka dhënë dëshminë, realisht kanë qenë prezentë në një sallë”, ka treguar Rushiti, shkruan “Rel”.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë kundër Vukotiqit në mars të vitit 2020. Sipas njoftimit te Prokurorisë, Vukotiqi “më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e Komunës së Vushtrrisë, ka marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar”.
Vukotiqi, shtetas i Serbisë, ishte arrestuar më 2016 në Nikshiq të Malit të Zi, sipas një urdhër-arresti të INTERPOL-it, të lëshuar nga UNMIK-u. Më pas, ai ishte ekstraduar në Kosovë për t’u përballur me akuza për krime lufte.
QKRMT-ja ka iniciuar në total 14 raste të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por Rushiti shpreson se tani pas këtij rasti, edhe për gratë dhe burrat e tjerë do të jetë një shpresë që të bashkëpunojnë edhe më tutje me institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe.