Rusia apelon vendimin e WADA-s për përjashtimin nga Lojërat Olimpike
Agjencia e Antidopingut të Rusisë, Rusada, lajmëroi se do ta apelojë vendimin e WADA-s, Agjencisë Ndërkombëtare të Dopingut për përjashtimin e të gjithë atletëve rusë nga Lojërat Olimpike të “Tokio 2020”.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë, Stanislav Pozdnyakov, në një takim të mbajtur në Moskë nga Rusada bëri me dije se këtë të premte do ta paraqesin kërkesën zyrtare për apelim pranë Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë dhe se për këtë çështje kanë angazhuar një firmë zvicerane e cila do ta garantojë suksesin e pretendimeve të Rusadas. Vetëm pak javë më parë WADA bëri me dije vendimin se Rusia do të përjashtohet për 2 vjet nga çdo disiplinë sportive për shkak se shumë atletë nga ky vend kanë rezultuar pozitivë vitet e fundit në kontrollet e antidopingut.
Vendimi nuk u prit mirë në Rusi teksa dhe kohët e fundit disa atletë rusë, ata që kanë dalë në pastër, për shkak të dënimeve që janë dhënë kryesisht në sportin e atletikës, kanë garuar në mënyrë individuale dhe pa një flamur në kompeticione të ndryshme ndërkombëtare.