Rusia dëbon 23 diplomatë britanikë
Një shkallëzim tjetër i konfliktit mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë: Rusia vendosi të dëbojë 23 diplomatë britanikë si kundërpërgjigje për largimin e diplomatëve rusë nga Britania e Madhe pas helmimit me gaz nervor të një agjenti të dyfishtë rus, Sergej Skripal dhe vajzës së tij.
Diplomatët duhet të largohen brenda një jave nga Rusia, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Rusisë, raporton DW.
Ambasadori britanik, Laurie Bristow, u thirr për sqarime në Moskë. Qeveria ruse po ashtu tërhoqi miratimin për hapjen e konsullatës britanike në Shën Petersburg. Edhe institucioni kulturor britanik, British Council, duhet të ndalë veprimtarinë e tij në Rusi.
Rusia e injoroi një ultimatum të britanikëve për zbardhjen e atentatit me helm nervor. Në një deklaratë të përbashkët, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe SHBA kanë bërë përgjegjëse Rusinë për këtë akt. Por Moska i hedh poshtë akuzat. Londra vendosi si kundëreagim sanksione kundër Moskë.
Ndërkohë ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson, shfaqi dyshimin se porosia për atentatin me gjasë ka ardhur drejtpërdrejt nga Kremlini.