Rusia dëbon dy diplomatë suedezë
Rusia dëboi dy diplomatë suedezë pasi shteti skandinav refuzoi dhënien e vizave për dy diplomatë rusë, deklaroi të mërkurën Ministria suedeze e Punëve të Jashtme, një vendim që rrezikon të përshkallëzojë marrëdhëniet tashmë të tendosura mes dy shteteve.
“Rusia është kundërpërgjigjur duke u kërkuar dy diplomatëve suedezë të largohen nga Rusia”, njoftoi një zëdhënëse e Ministrisë, e kontaktuar nga media, por pa dhënë më shumë detaje.
Ministria ruse e Punëve të Jashtme nuk ka dashur ta komentojë informacionin.
Vendimi i Moskës vjen pak më shumë se dy muaj pas arrestimit në fund të shkurtit në Stokholm të një personi, e cila punonte në teknologjitë e avancuara, e dyshuar për spiunazh në Suedi në favor të Rusisë, pas rekrutimit të saj nga një agjent i shërbimeve sekrete ruse që vepronte nën mbulimin diplomatik.