Rusia dëbon një diplomate shqiptare
Rusia ka dëbuar diplomaten shqiptare, Jonida Drogu nga Moska si një kundërpërgjigje ndaj dëbimit të një diplomati rus nga ana e Tiranës.
Njoftimi është bërë nga ana e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, e cila tha se sekretarja e parë e Ambasadës së Shqipërisë në Moskë është shpallur person i padëshiruar (non grata). Ajo është urdhëruar që ta lëshojë vendin brenda 72 orësh.
“Më 8 shkurt, ambasadori shqiptar në Rusi, Arben Gazioni është thirrur në Ministrinë e Jashtme dhe është njohur me letrën ku Sekretarja e Parë e ambasadës shqiptare është shpallur person non grata”, ka treguar ministria e Jashtme e Rusisë, bëjnë të ditur mediet ruse.
Në njoftim thuhet se ky hap është marrë si përgjigje ndaj vendimit të Shqipërisë për të dëbuar Sekretarin e Parë të Ambasadës ruse në Tiranë “me pretekste të trilluara”.
Ministria e Jashtme e Rusisë, mes tjerash thotë se veprimet e Tiranës do të dëmtojnë marrëdhëniet e dy vendeve.
“Veprimet shqiptare kundërshtojnë pretendimet e Tiranës për synimin për të zhvilluar marrëdhënie miqësore midis vendeve tona dhe në mënyrë efektive shtyjnë prapa perspektivën e kapërcimit të ngecjes në marrëdhëniet dypalëshe. Një mospërputhje e tillë është për të ardhur keq”, ka shtuar Ministria e Jashtme.
Më shumë se dy javë më parë, autoritetet shqiptare dëbuan sekretarin e parë të Ambasadës së Rusisë në Tiranë, pasi siç thanë, që nga muaji prill i vitit 2020, ky diplomat ka shkelur në mënyrë të “përsëritur” kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë në arsyetimin e saj pati thënë se çështja e shkeljes së masave të kufizimit ishte adresuar të ambasadori i Rusisë në Tiranë, por diplomati rus kishte vazhduar të mos i përfillte ato.
Pas kësaj mase të Tiranës, kishte reaguar Ministria e Jashtme e Rusisë, duke e cilësuar këtë vendim si “provokim”.
Rusia pretendoi se diplomati i saj u dëbua përmes një “arsyetimi tërësisht të sajuar”.
Rusia akuzoi autoritetet shqiptare se po “bashkëpunojnë me forcat kundër Rusisë”, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në muajin prill. Edhe në vitin 2018 Shqipëria kishte dëbuar dy diplomatë rusë. Në atë kohë ishte thënë se aktivitetet e tyre nuk ishin në përputhje me statusin e tyre diplomatik.
Tirana dhe Moska rivendosën raportet diplomatike më 1991, 30 vjet pasi regjimi komunist i Shqipërisë kishte prishur lidhjet e ngushta që kishte me Rusinë./rel/