Rusia dhe Kina po hapin “epokën e re të miqësisë”
Presidenti i Kinës, Xi Jinping do të arrijë të mërkurën në Rusi për të shënuar një atë që quhet “epokë e re e miqësisë” ndërmjet dy vendeve.
Forcimi i lidhjeve ekonomike me Rusinë e izoluar nga Perëndimi është edhe një aspekt tjetër i vizitës së delegacionit të lartë kinez në Moskë.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping do të ketë bisedime në Kremlin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, para se të marrë pjesë në një pritje zyrtare të delegacionit kinez.
Vizita zhvillohet pesë vjet pasi Rusia aneksoi rajonin e Krimesë në Ukrainë, që çoi në përplasje me partnerët e saj perëndimorë.
Nga Moska, Xi do të udhëtojë në Shën Petersburg për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të organizuar nga Putini. “Kina dhe Rusia kanë besim të ndërsjellë të fortë politik dhe mbështesin njëra-tjetrën në mënyrë të vendosur në çështjet që lidhen me interesat thelbësore dhe shqetësimet e tyre kryesore”, ka thënë Xi gjatë një interviste me mediat ruse përpara vizitës, sipas një transkripti të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e Pekinit.
Yury Ushakov, ndihmësi i politikës së jashtme të presidentit rus, ka deklaruar se vizita është “një ngjarje vendimtare për marrëdhëniet tona dypalëshe”. Sipas tij, Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë që njohu Kinën e kontrolluar nga komunizmi në vitin 1949.
Ai ka treguar se Xi dhe Putin do të nënshkruajnë një deklaratë të re mbi “partneritetin dhe bashkëpunimin strategjik”.
Delegacioni kinez po sjell dy panda si dhurata, të cilat janë për kopshtin zoologjik të Moskës. “Kafsha është një simbol i Kinës dhe gjesti është shumë i rëndësishëm për partnerët tanë”, ka deklaruar Ushakov.
Tregtia mes dy vendeve ka shënuar rritje, me 25 për qind në vitin 2018 apo 108 miliardë dollarë më shumë duke e shndërruar Kinën në partnerin më të rëndësishëm ekonomik të Rusisë./rel/