India, në vitin 2018, ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë në vlerë prej pesë miliardë dollarësh për blerjen e sistemeve S-400.
Një gjë e tillë ka nxitur paralajmërimet e Uashingtonit për sanksione.
“Kontrata do të zbatohet në kohë. Dërgesa e parë do të bëhet në fund të vitit 2021”, citohet të ketë thënë zëvendësdrejtori i Shërbimit Federal të Rusisë për Bashkëpunim Ushtarako-Teknik, Vladimir Drozhzhov.
“Trajnimi i specialistëve të Indisë do të nisë përpara dërgesave”, ka shtuar ai.
Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, janë zemëruar edhe me Turqinë – aleate e NATO-s, e cila ka blerë sistemin S-400 nga Rusia.
Uashingtoni thotë se ky sistem nuk është në pajtueshmëri me pajisjet e NATO-s.
Rusia thotë se S-400 mund të detektojë dhe shkatërrojë caqe brenda një game prej rreth 400 kilometrash.
Një sistem i gjeneratës së re, S-500, është thënë se është në zhvillim e sipër.