Rusia drejt ‘martesës’ me talibanët
Pak pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan, Rusia iu përgjigj pyetjeve nëse kishte ardhur koha për të rishikuar statusin e grupit militant si organizatë terroriste, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Është shumë e rëndësishme të shihet se cilët do të jenë hapat e parë të talibanëve në qeverisjen e Afganistanit”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 30 gusht 2021. “Vetëm atëherë mund të nxjerrim konkluzione”.
Dy vjet e gjysmë më vonë – pavarësisht dështimit të talibanëve për të përmbushur zotimet e tyre për formimin e një qeverie përfshirëse, për respektimin e normave themelore të të drejtave të njeriut dhe për parandalimin e shndërrimit të territorit afgan në strehë për grupet ekstremiste ndërkombëtare – një armik i përbashkët duket se po detyron marrjen e një vendimi.
Që prej një sulmi vdekjeprurës terrorist afër Moskës, më 22 mars, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi ekstremist Shteti Islamik (IS), Rusia gjithnjë e më shumë po i shqyrton raportet e saj me talibanët, të cilët po luftojnë në Afganistan kundër Shtetit Islamik-Korasan (IS-K), i cili besohet ta ketë kryer sulmin.
Përderisa qeveria e talibanëve nuk gëzon njohje në botë, Peskov ka thënë muajin e kaluar se Moska duhet të zgjidhë “çështje urgjente”, të cilat kërkojnë dialog të shtuar me grupin militant, udhëheqësit e të cilit janë “në fakt ata që kanë pushtetin në Afganistan”.
Duke marrë parasysh rëndësinë që Rusia e sheh tek Afganistani në ruajtjen e sigurisë rajonale, përballë rrezikut në rritje nga IS-K, bashkëpunimi me talibanët është në të mirë të Moskës, thonë analistët.
Alec Bertina nga Militant Wire, një qendër hulumtuese e cila përcjell grupet militante, pohon se heqja e talibanëve nga lista e zezë e terrorizmit në Rusi mund të jetë fillimi i një “martese për interes”.
“Sado që është ide e habitshme që Rusia dhe talibanët të afrohen, është në interesin e tyre të sigurisë që ta bëjnë këtë tani”, shprehet Bertina. “Duke marrë parasysh kërcënimin e përbashkët të sigurisë, dhe faktin se talibanët mund të përdoren praktikisht për t’i pësuar dëmet që vijnë nga luftimi me IS-in, kjo është disi e kuptueshme”.
Që prej ardhjes së talibanëve në pushtet, IS-K ka vazhduar trysninë ndaj talibanëve, qeverisjen e të cilëve ai e kundërshton, dhe është angazhuar “t’ia bëjë jetën sa më të vështirë” qeverisë de-facto të tyre, thotë Michael Kugelman, drejtor i Institutit të Azisë Jugore në Qendrën Wilson, në Uashington.
Sulmet e tij ndaj talibanëve, ndaj pakicave fetare dhe ndaj objektivave të huaj në Afganistan, kanë për qëllim “të minojnë legjitimitetin e talibanëve, për të bindur popullin afgan se talibanët nuk mund të ofrojnë paqe dhe siguri në vend”, ka deklaruar Kugelman për Shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë, Radio Azadi.
IS-K, po ashtu, ka sfiduar haptas rivalët përmes një fushate të sofistikuar propagandistike, duke u tallur me dëshirën e talibanëve për t’u njohur nga komuniteti ndërkombëtar, dhe duke i akuzuar ata për zbatim të një dege “injorante” të islamit.
Grupi, gjithashtu, është zgjeruar gjithnjë e më shumë jashtë vendit, përfshirë me sulme vdekjeprurëse në Iran, në Rusi dhe në Azinë Qendrore, një qendër e madhe rekrutimi për luftëtarët e IS-K.
“Bazat kryesore [të IS-K] janë ende në Afganistan, shumica e sulmeve kryhen në Afganistan, por kjo është një degë rajonale e Shtetit Islamik, e cila ka objektiva gjithnjë e më globale”, shprehet Kugelman.
Siç është dëshmuar nga sulmi i fundit ndaj një salle koncertesh – sulmi më vdekjeprurës terrorist në tokën ruse në dy dekada – me ç’rast u vranë mbi 140 persona dhe u plagosën qindra të tjerë, Moska ka arsye ta trajtojë IS-K me urgjencë dhe të bashkëpunojë më shumë me talibanët, ndër armiqtë kryesorë të grupit.
“Afrimi dhe lëshimet ruse ndaj talibanëve me gjasë janë të menduara, të paktën pjesërisht, për të sinjalizuar besimin e Moskës në aftësinë e talibanëve për të degraduar rrezikun nga IS-K”, vlerëson Kugelman.
Talibanët janë shpallur organizatë terroriste nga Rusia më 2003, dy vjet pasi ata u larguan nga pushteti prej forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit në pushtet, talibanët fillimisht minimizuan kërcënimin nga IS-K dhe ngulmuan se grupi nuk është aktiv në tokën afgane, pavarësisht se vazhdimisht forconin kapacitetet për t’u ballafaquar me grupin dhe shkatërronin celula të IS-K.
Më së fundi, në prill, talibanët raportohet të kenë urdhëruar krijimin e një njësiti special ushtarak për të luftuar kundër IS-K.
Por, “ajo që talibanët kanë bërë kundër IS-K nuk e ka ndalur IS-K të arrijë të kryejë operacione të jashtme në vende të tjera”, thotë Bertina, duke theksuar se talibanët nuk janë dëshmuar të aftë për t’i parandaluar përpjekjet rekrutuese të IS-K.
Kjo, sipas Bertinas, i ka shtyrë Rusinë dhe vendet e tjera që të diskutojnë “nëse mund të jetë në interesin e tyre për t’iu ndihmuar pak [talibanëve] në luftën e tyre”.
Heqja e talibanëve nga lista e terrorizmit në Rusi, vlerëson Bertina, mund t’i hapë rrugën Rusisë që mbase “të fillojë t’ju japë talibanëve resurse për ta luftuar më mirë IS-K”.
Bertina thotë se ka paraparë një situatë, në të cilën talibanët do ta bartnin peshën e luftimeve në terren në Afganistan, kurse Rusia do të ofronte të dhëna nga inteligjenca. Rusia me gjasë nuk do të ishte “shumë e zëshme” për sulme direkte ndaj IS-K në Afganistan, “duke marrë parasysh historinë e pakëndshme të Rusisë me operacionet antiterrorizëm në vende si Afganistani”.
Kugelman, po ashtu, e sheh të vlefshëm bashkëpunimin e Rusisë me talibanët në luftën kundër terrorizmit, duke përmendur “gatishmërinë dhe kapacitetin” e talibanëve “për të kryer fushata të ashpra tokësore kundër IS-K”.
Rusia, ndonëse e angazhuar në luftën e saj kundër Ukrainës, mund t’iu japë talibanëve “armë, para, e madje edhe t’iu ofrojë trajnim dhe këshillim për t’iu ndihmuar atyre t’i shkaktojnë dëme më të mëdha IS-K”, vlerëson Kugleman.