Rusia dyshon se Kina do të ndryshojë qëndrimin ndaj konfliktit në Ukrainë
Kremlini ka thënë se ka ndjekur “bisedimet e rëndësishme” ndërmjet presidentit kinez, Xi Jinping, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por dyshon se Kina, nën presionin e jashtëm, do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj konfliktit në Ukrainë.
Më herët, Kina ka propozuar një “plan të paqes”, por Ukraina dhe disa liderë perëndimorë mbeten skeptikë për marrëdhëniet e ngushta të Xi me presidentin rus Vladimir Putin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve të premten se Kremlini ka “përcjellë” bisedimet midis BE-së dhe Kinës, por ka theksuar se Rusia ka “marrëdhëniet e veta të vlefshme” me Pekinin.
“Kina është një fuqi shumë serioze, shumë e madhe me pozicionin e saj sovran. Ky nuk është ai lloj i vendit që ndryshon shpejt pozicionet e tij nën ndikimin e jashtëm”, ka thënë Peskov, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a është Rusia e shqetësuar se Evropa mund ta bindë Xi-n lidhur me Ukrainën, raporton “Rel”.
Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas bisedës, Xi ka shprehur gatishmërinë e tij për të folur drejtpërdrejt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa Macroni ka thënë se i bëri thirrje Pekinit që “ta bëjë Rusinë të kuptojë”.
Pushtimi rus i Ukrainës është në fokusin e vizitës së Macroni në Kinë. Kjo është vizita e parë e tij në Kinë, që nga viti 2019. Presidentja e Komisionit Evropian, e cili bashkë me presidentin francez Macron gjenden për vizitë në Pekin, mirëpriti gatishmërinë e presidentit kinez, Xi Jinping për të biseduar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.