Rusia e Bjellorusia përjashtohen edhe nga hendbolli e patinazhi

01 mars 2022 | 13:31

Bota e sportit po vazhdon ta ndëshkojë Rusinë. Federata Evropiane e Hendbollit vendosi të përjashtojë Rusinë, si ndëshkim për sulmin e saj ushtarak ndaj Ukrainës. EHF-ja ka dalë me njoftim zyrtar përmes së cilit njofton se i ka suspenduar Rusinë dhe Bjellorusinë.

“Ekipet kombëtare dhe klubet nga Rusia dhe nga Bjellorusia janë suspenduar deri në një njoftim të ri”, shkruan në njoftimin e shtëpisë së hendbollit evropian.

“Me pamjet e situatës së luftës në Ukrainë dhe me referencën e rekomandimeve nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit e mori këtë vendim të hënën mbrëma pas mbledhjes së jashtëzakonshme”, shkruan tutje në njoftimin e EHF-it.

Me këtë rast, Rusia dhe Bjellorusia, si bashkëpunëtore e saj, nuk do të ftohen në organizimet e ardhshme të hendbollit. Federata Evropiane shpreh keqardhje ndaj sportistëve, klubeve dhe ekipeve kombëtare të Rusisë dhe të Bjellorusisë, ndërkohë që shpreson që rikthimi i paqes do ta ndryshojë vendimin.

Ndërsa edhe Unioni Ndërkombëtar i Patinazhit (ISU) ka njoftuar se i ka përjashtuar patinatorët rusë dhe ata bjellorusë, të cilët nuk do të kenë të drejt pjesëmarrjeje në garat ndërkombëtare të sportit mbi akull. Ky vendim vjen si rezultat i luftës që e nisi Rusia me Ukrainën.

Ekipet kombëtare të Rusisë dhe të Bjellorusisë do të ndalohen të marrin pjesë në garat e sivjetme që do të organizohen nga ISU. Ky i fundit, përmes një njoftimi zyrtar e shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e pamohueshme për Ukrainën.

Gjithashtu, ISU-ja u shpreh e gatshme për të ndihmuar edhe në aspektin humanitar për anëtarin e saj – Ukrainën.

Njëjtë si në sportet tjera, edhe ky institucion theksoi se vendimi do të jetë në fuqi deri në një njoftim tjetër. Paraprakisht, Rusia dhe Bjellorusia u përjashtuan nga sportet si futbolli, basketbolli, hendbolli etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një video-lidhje ka folur…