Rusia e çon një delegacion në Bjellorusi për “negociata” me Ukrainën
Rusia e ka nisur një delegacion në Bjellorusi për bisedime me palën ukrainase. Por, kjo duket të jetë vetëm propagandë për të prezantuar Kremlinin si palë që do zgjidhje nëpërmjet dialogut, sepse Bjellorusia është aleate e Putin në agresionin ndaj Ukrainës, ndërkohë që asgjë nga Kievi nuk është thënë për këto ‘bisedime’, raporton Gazeta Express.
Delegacioni rus thuhet se ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime me ukrainasit, u tha gazetarëve zëdhënësi presidencial Dmitry Peskov, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti, raporton the Guardian.
Sipas tij, delegacioni përfshinte përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe departamenteve të tjera, përfshirë administratën presidenciale.
“Ne do të jemi gati për të filluar këto negociata në Gomel,” tha zëdhënësi.
Ministria e Jashtme e Bjellorusisë tha se kishte përgatitur gjithçka të nevojshme për takimin dhe tani ishte e angazhuar në zgjidhjen e çështjeve të protokollit.