
Rusia e sulmon Kievin me dronë e raketa, nëntë të vrarë e mbi 70 të plagosur
Një sulm i kombinuar rus me dronë e raketa gjatë natës së kaluar shkaktoi zjarre, goditi ndërtesa e varrosi banorë nën rrënoja në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke lënë nëntë të vdekur e mbi 70 të tjerë të lënduar, tha të enjten Shërbimi Emergjent Shtetëror.
Raportohet se në mesin e të lënduarve ishin gjashtë fëmijë, shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ka pasur shkatërrim. Kërkimi është duke vazhduar për persona nën rrënoja” – tha në rrjetin “Telegram” Shërbimi Emergjent Shtetëror.
Incidenti më serioz ishte në një ndërtesë banimi që u shkatërrua në distriktin Sviatoshynskyi, në perëndim të qendrës së qytetit.
Shërbimi Emergjent tha se ekipet e shpëtimit ishin duke punuar në 13 zona në kryeqytet me specialist të ngjitjes dhe qen nuhatës. Raportohet se 40 zjarre kishin shpërthyer.
“Telefona mobilë dëgjohen duke cingëruar nën rrënoja. Kërkimi do të vazhdojë derisa të bëhet e qartë se ata (punëtorët e shpëtimit) e kanë marrë secilin” – thuhet më tej në njoftim.