Rusia e sulmon me raketa kryeqytetin e Ukrainës
Rusia e ka sulmuar me raketa kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, si dhe rajonet e afërta të tij për herë të parë pas një pauze pothuajse dymujore, thanë zyrtarët ukrainas. Po ashtu, forcat ruse i vazhduan sulmet me dronë në lindje dhe jug të Ukrainës.
Guvernatori i rajonit qendror të Kievit, tha se pesë shtëpi private dhe disa ndërtesa komerciale në atë zonë u dëmtuan. Mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi edhe 19 dronë iranianë, Shahed, nga 31 sosh që forcat ruse i përdorën për t’i sulmuar rajonet jugore dhe lindore, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.
Rusia i ka rritur bombardimet në portet e Ukrainës, përfshirë në Odesa, dhe në infrastrukturën e drithërave prej se Moska u tërhoq nga marrëveshja e Detit të Zi për drithërat, e cila ishte arritur gjatë luftës për të mundësuar eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.