Rusia fut hundët në mbledhjen e përbashkët Kosovë – Shqipëri për nder të 28 nëntorit
Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Bocan-Kharchenko, ka reaguar në lidhje me mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve shqiptare që u mbajt për nder të 28 nëntorit në Tiranë.
Sipas diplomatit rus, Bashkimi Evropian duhet të shqetësohet për mesazhet që u përçuan nga Kosova dhe Shqipëria sepse, siç u shpreh ai, qëllimi i seancës ishte krijimi i “Shqipërisë së Madhe”.
“Duket se BE-ja ka marrë, siç pritej, mesazhe alarmante nga Tirana nga seanca e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës në frymën e idesë së ‘Shqipërisë së Madhe’”, tha ai, transmeton mediumi ballkanik N1.
Bocan-Kharchenko vazhdoi propagandën duke përdorur ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë për krime të pretenduara lufte.
“Këto janë mesazhe që lavdërojnë UÇK-në dhe liderët e saj, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit”.
Gjithashtu, Bocan-Kharchenko kundërshtoi edhe përfshirjen e planit franko-gjerman në axhendën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ai ka vlerësuar se Perëndimi edhe një herë po i hedh benzinëzjarrit duke insistuar që palët të fokusohen në “kornizën e re” për normalizim të raporteve.
“Perëndimi e uli tensionin e shkaktuar nga çështja e targave, të cilin Prishtina e krijoi artificialisht, por nuk e bëri me qëllimin e normalizimit të situatës. Tani po i hedh sërish benzinë zjarrit”.
Kujtojmë se Bocan-Kharchenko vazhdimisht propagandon duke deklaruar se Perëndimi, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duan ta përdorin çështjen e Kosovës, për të bërë presion ndaj Aleksandër Vuçiç’it për t’iu bashkuar sanksioneve anti-ruse.