Rusia hap një front të ri lufte ndërsa Ukraina pret armët perëndimore
Forcat ruse po zgjerojnë sulmet e tyre në vendbanimet kufitare të Ukrainës afër qytetit verilindor të Kharkivit, duke hapur një front të ri në lufte. Pyetja që shqetëson mbështetësit e Kievit është nëse armët amerikane dhe evropiane, që pritet të arrijnë në Ukrainë në javët e ardhshme, do të ndihmojnë forcat e Kievit të zmbrapsin sulmet ruse?
Trupat ruse po përpiqen të marrin nën kontroll fshatrat e Ukrainës rreth 30 kilometra në veri të qytetit Kharkiv. Forcat e Kievit publikuan këto pamje që tregojnë luftime të ashpra të filmuara së fundmi pranë qytetit kufitar, Vovchansk.
Ukraina ka lëshuar raketa nga rajoni kufitar drejt Rusisë. Moska pretendoi se nga ky sulm javën e kaluar në një ndërtesë apartamentesh në Belgorod, u vranë shtatë persona.
“Ka shumë arsye pse Rusia filloi sulme të reja. Ata duan të krijojnë një zonë sigurie në kufi me Ukrainën, por edhe të testojnë mbrojtjen ukrainase. Megjithatë, mënyra se si po e bëjnë këtë dhe numri i trupave që kanë, duke sulmuar në grupe të vogla këmbësorie, nuk sugjeron se ata po përpiqen të rrethojnë Kharkivin ose diçka të ngjashme”, thotë Patrick Bury, analist i mbrojtjes në Universitetin e Bathit në Britani.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbërriti në Kharkiv të enjten pasi anuloi udhëtimet jashtë vendit. Kievi tha se forcat ukrainase kishin ngadalësuar përparimin e forcave ruse.
“Për momentin Rusia është në avantazh të thellë përsa u përket municioneve”, thotë analisti Bury.
Forcat ukrainase ende po presin për pjesën më të madhe të armëve, që janë pjesë e ndihmave amerikane me vlerë 60 miliardë dollarë, që u miratuan muajin e kaluar, pas një vonese gjashtëmujore.
“Ndihma amerikane është thelbësore, prandaj vonesa në dërgimin e armëve pati ndikim në front dhe kjo është ajo që po shohim tani”, thotë Serhii Rakhmanin, anëtar i Komisionit Parlamentar ukrainas për Sigurinë Kombëtare.
Ukraina thotë se forcat ruse kryejnë sulme ajrore përpara sulmeve të këmbësorisë. Kievi ka kërkuar vazhdimisht sisteme të mbrojtjes ajrore.
Muajin e kaluar, Ukraina miratoi një projekt-ligj për mobilizim ushtarak për shkak të numrit të pamjaftueshëm të trupave.
“Mendoj se tre muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për Ukrainën pasi rusët po shfrytëzojnë mundësitë e krijuara. Fuqia e forcave ukrainase është zvogëluar dhe rusët e ndjejnë këtë. Ata kanë grumbulluar sasi armësh, municionesh, personel dhe tani po përdorin maksimumin e rezervave të tyre. Ata po përpiqen të shpërndajnë forcat tona në të gjithë vijën e frontit”, thotë zoti Rakhmanin.
Pyetja kryesore tani është nëse Ukraina dhe aleatët perëndimorë mund ta ndryshojnë situatën?
“Mundësitë që ata të çlirojnë territore në një afat të mesëm duket se po ikin. Nëse nuk ka një rritje të mbështetjes perëndimore dhe një strategji afatgjatë për të arritur sukses, gjëra që momentalisht nuk po ndodhin, atëherë mendoj se Ukraina do të vazhdojë vetëm të mbrojë atë që ka nën kontroll”, thotë analisti Patrick Bury.
Analistët thonë se Rusia ka qenë në gjendje të rindërtojë fuqinë e saj ushtarake gjatë gjashtë muajve të fundit me ndihmën e Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut. Kjo e bën çdo ofensivë të ardhshme ukrainase më të vështirë./voa