Rusia i druhet sulmeve ukrainase, evakuohet Belorod, Erdogan: Gati të ndërmjetësoj paqen
Rusia ka nisur të evakuojë banorët nga qyteti kufitar i Belgorod, pas sulmeve vdekjeprurëse të Ukrainës. Guvernatori Vyacheslav Gladkov deklaroi se një sërë familjesh ishin larguar nga qyteti ku fundjavën e kaluar 25 persona u vranë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën në një prej sulmeve më vdekjeprurëse të Kievit kundër Rusisë.
Teksa bëri thirrje për ndihmë në platformën Telegram, guvernatori i qytetit të Belgorod paralajmëroi për një sulm të mundshëm raketor ndërsa një ditë më herët autoritetet thanë se kishin rrëzuar 10 objektivë ajrore.
Zjarri ndër kufitar vjen teksa SHBA akuzoi Rusinë për përshkallëzim të rëndësishëm dhe shqetësues në Ukrainë me përdorimin e raketave balistike dhe raketahedhësve të siguruara nga Koreja e Veriut. Moska e ka mohuar një bashkëpunim të tillë, por ekspertë të armatimeve kanë konfirmuar se mbetjet raketore të zbuluara në qytetin e Harkiv, dukej të ishin nga Koreja e Veriut.
“Ka disa element të dukshëm në imazhet dhe fotot e mbetjeve raketore, dhe ato tregojnë trupin kryesor dhe pjesë të motorit të raketës që ngjasojnë plotësisht me modelet Korenoveriore”, tha Joost Oliemans, ekspert ushtarak holandez.
Trupat ruse i kanë vijuar bombardimet rreth Ukrainës, me Hersonin që u shenjëstrua 112 herë sipas autoriteteve atje. Sakaq mbrojtja ruse rrëzoi 4 raketa ukrainase mbi gadishullin e aneksuar të Krimesë. Ndërsa lufta nuk tregon sinjale zbutjeje presidenti turk Rexhep Taip Erdogan foli në telefon me presidentin Zelensky të cilit i tha se ishte i gatshëm të ndërmjetësonte bisedime mes Moskës dhe Kievit, me qëllim të sigurimit të paqes në Ukrainë.