Rusia ia ndal gazin Moldavisë

29 dhjetor 2024 | 16:37

Gazprom do të ndërpresë furnizimin me gaz në Moldavi nga 1 janari 2025 për shkak të refuzimit të saj për të paguar borxhin ndaj kompanisë.

Këtë e bëri të ditur kompania ruse në një deklaratë zyrtare. Gazprom i dërgoi një njoftim “Moldovagaz”, një filial i qeverisë moldave, duke thënë se “bazuar në dispozitat e kontratës dhe normat e zbatueshme të legjislacionit rus, Gazprom do të ndërpresë furnizimet me gaz natyror në Republikën e Moldavisë në orën 8 të mëngjesit me kohën e Moskës më 1 janar 2025”.

Kufizimi, shtoi kompania ruse, “do të mbetet në fuqi derisa Gazprom të njoftojë me shkrim Moldovagaz për një vendim të dytë”.

Kryeministri moldav Dorin Recean dënoi vendimin e Gazprom, duke deklaruar se qeveria e tij nuk e njeh borxhin që pretendojnë rusët prej 709 milionë dollarësh, i cili sipas tij nuk është “certifikuar nga një vlerësim i pavarur ndërkombëtar”. Duke cituar konkluzionet e firmave audituese britanike dhe norvegjeze, ai pretendon se borxhi i Moldavisë është rreth 8.6 milionë dollarë, shumë më i ulët se ai i deklaruar nga Gazprom. Recean shtoi se vendi i tij po diversifikon furnizimet me gaz natyror për të reduktuar varësinë nga rusët, por pranoi se vendimi që hyn në fuqi më 1 janar do të sjellë probleme në vendin e tij me sistemin e ngrohjes.

Recean deklaroi se qeveria do të “analizojë me kujdes opsionet ligjore, duke përfshirë rekursin ndaj arbitrazhit ndërkombëtar”, për të mbrojtur interesat kombëtare. “Vendi ynë është i gatshëm të përballojë çdo situatë që lind pas vendimit të Kremlinit,” siguroi ai.

Rusia, e cila furnizon Moldavinë me rreth dy miliardë metra kub gaz në vit nëpërmjet Ukrainës, kërkon 709 milionë dollarë në emër të borxhit, por Bashkimi Europian akuzon Moskën se po e përdor gazin natyror për të shantazhuar Moldavinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rrahman Rama, një emër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme…