Rusia intensifikon sulmet në Donjeck

15 dhjetor 2022 | 12:46

Trupat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në Bahmut dhe Avdivivka, në rajonin ukrainas të Donjeckut, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 15 dhjetor. Moska po ashtu po vazhdon të kryejë sulme në tërë linjën e frontit në lindje, pas sulmeve me dronë në Kiev dhe një bombardimi vdekjeprurës në Herson.

Shtabi i Përgjithshëm ka njoftuar se rusët po tentojnë të stabilizojnë pozicionet e tyre taktike rreth Kupjanskut në lindje të rajonit të Harkovit dhe në juglindje të Zaporizhjës.

“Armiku ka kryer 31 sulme ajrore dhe 8 sulme me raketa ndaj infrastrukturës civile në rajonin e Donjeckut, dhe po ashtu ka hedhur 61 raketa nga sistemet raketore”, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm.

Ushtria ukrainase shtoi se rreziku nga sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile ukrainase vazhdon të jetë i lartë në mbarë vendin.

Më 14 dhjetor, Rusia dëmtoi dy ndërtesa administrative në Kiev pas sulmeve me dronë. Por, në masë të madhe sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase arritën të rrëzonin dronët. Po ashtu, Rusia ka kryer bombardime në qytetin e çliruar së fundi, Herson, duke vrarë dy persona.

Moska po ashtu ka vazhduar presionin në mbarë vijën e frontit dhe ka vazhduar të sulmojë zonat civile, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Ai shtoi se aftësia e Rusisë për të kryer “ofensiva të mëdha mund të rikthehet” në fund të janarit apo të shkurtit.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme ndaj infrastrukturës së energjisë, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra kampione e Golden State vijon të zhgënjejë jashtë fushe,…