Rusia, Irani dhe Turqia diskutojnë për konfliktin në Siri
Përfaqësues të Rusisë, Iranit dhe Turqisë kanë nisur bisedimet dyditëshe për Sirinë, në qytetin rus, Soçi.
Ministria e Jashtme ruse ka bërë me dije se disa tema janë në tryezën e diskutimeve, përfshirë formimin e një komiteti kushtetues të Sirisë, zonat e sigurta brenda Sirisë dhe çështjet humanitare.
Edhe pse mbështesin anë të ndryshme në konfliktin sirian, Turqia, Rusia dhe Irani e kanë nisur procesin e negociatave vitin e kaluar në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, duke diskutuar kryesisht për çështje si armëpushimi dhe zonat e sigurta.
Një proces tjetër i negociatave, i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara dhe i përqendruar në çështjet politike, është zhvilluar në Gjenevë.
Delegacioni rus në Soçi është duke u udhëhequr nga i dërguari i posaçëm i Kremlinit për Sirinë, Aleksandr Lavrentyev.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Hossein Ansari, dhe zëvendësministri i Jashtëm turk, Sedat Onal, i përfaqësojnë vendet e tyre.
Në bisedime marrin pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, dhe përfaqësues të Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Turqia ka thënë të dielën se planifikon të mbajë një samit me Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, në fillim të shtatorit, për të diskutuar konfliktin në Siri dhe çështje të tjera rajonale.
Rusia, Franca apo Gjermania nuk e konfirmuan ende këtë takim