Rusia kërkon diskutim në KS të OKB-së për Libinë

06 janar 2020 | 11:17

Rusia ka kërkuar organizimin e një takimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 6 janar për të diskutuar rreth Libisë, pasi Turqia ka nisur pozicionimin e trupave të saj në këtë shtet, për të mbështetur qeverinë e përkrahur nga OKB-ja në Tripoli.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka thënë më 5 janar se ka nisur të dërgojë elemente ushtarake në Libi në “koordinim” dhe me qëllim të “zhvillimit” të një qendre operacionale atje, ka thënë ai për rrjetin amerikan “CNN”, në gjuhën turke.

Qeveria e Libisë është përballur me presion të madh ushtarak prej muajit prill kur Ushtria Kombëtare e Libisë, e udhëhequr nga gjenerali, Khalifa Haftar, ka nisur një ofensivë ushtarake kundër të ashtuquajturës, Qeveria e Akordit Kombëtar, që ka bazën në Tripoli.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, përkrah qeverinë në Tripoli.

Ndërkohë, disa kontraktorë privatë ushtarakë rusë është raportuar se janë duke i ofruar ndihmë Haftarit, pretendim të cilin Moska e ka mohuar.

Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu përkrahin gjeneralin Haftar.

Vendimi i Erdoganit vjen pasi Qeveria në Tripoli ka bërë kërkesë zyrtare në Ankara për ndihmë ushtarake.

Të paktën 30 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi ajror në një shkollë ushtarake në Tripoli më 4 janar.

Më 3 janar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka përsëritur thirrjet për armëpushim në Libi dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’iu kthehen negociatave, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në këtë shtet. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenca e Kosovës ka njoftuar se sot do të mbahet…