Rusia konfirmon se Ukraina e ka rimarrë edhe një fshat
Një zyrtar i Rusisë e ka pranuar të dielën se Ukraina e kishte marrë sërish nën kontroll një fshat në rajonin jugor të Zaporizhzhias, fitimi i saj i dytë në front që kur nisi kundërsulmimin në fillim të këtij muaji.
Zyrtari Vladimir Rogov, ka thënë se forcat ukrainase e kishin marrë vendbanimin e Piatykhatky dhe ishin vendosur atje derisa ishin nën zjarr nga artileria ruse.
“Ofensivat ‘si valë’ të armikut dhanë rezultate, pavarësisht humbjeve të mëdha”, ka thënë Rogov në aplikacionin e mesazheve “Telegram”.
“Luftimet e ashpra vazhdojnë në zonë”, ka shtuar.
Ndërsa Ukraina nuk dha asnjë deklaratë për këtë çështje.
Rusia ka theksuar se po u shkakton humbje të mëdha forcave të Kievit dhe presidenti Vladimir Putin, ka thënë javën e kaluar se Ukraina nuk kishte “asnjë shans” për sukses në kundërofensivë.