Rusia lëshon substanca helmuese në Mariupol
Në Mariupol, rajoni Donetsk, forcat ruse përdorën një lëndë helmuese të panjohur kundrejt ushtarakëve dhe civilëve.
Substanca helmuese u hodh nga një dron në Mariupol, zbuloi Batalioni Azov në kanalin e tyre “Telegram”.
Sipas tyre, viktimat kanë insuficiencë respiratore dhe sindromë vestibulo-ataktike (provokon mosfunksionim të sistemit vaskular).
“Rreth një orë më parë, forcat pushtuese ruse përdorën një substancë helmuese me origjinë të panjohur kundër ushtarakëve dhe civilëve ukrainas në qytetin e Mariupolit, e cila u hodh nga një UAV armik…”, shkruan Azov.
InformNapalm raporton se mund të jetë përdorur “sarin” (gaz që prek nervat e njeriut).
Rusët kërcënuan më herët se do të bllokojnë luftëtarët ukrainas në uzinën Azovstal dhe do të përdornin armë kimike kundër tyre.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen nëse presidenti rus Vladimir Putin përdor armë të shkatërrimit në masë, përfshirë armët kimike, por përgjigja do të varet nga situata.