Rusia mbetet jashtë Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i refuzohet ankesa
Apelimi i Rusisë kundër vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të pezulluar anëtarësimin e tij është hedhur poshtë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS). IOC pezulloi Komitetin Olimpik Rus (ROC) “me efekt të menjëhershëm” në tetor për “një shkelje të kartës olimpike”, raporton BBC. ROC njohu organizatat rajonale nga katër territore ukrainase të aneksuara ilegalisht nga Rusia që nga fillimi i invazionit të saj në shkallë të plotë në 2022. Pezullimi nga IOC do të thotë që ROC nuk ka më të drejtë të funksionojë si një komitet kombëtar Olimpik.
“Paneli i Cas i ngarkuar me këtë çështje hodhi poshtë ankesën dhe konfirmoi vendimin e kundërshtuar, duke gjetur se bordi ekzekutiv i IOC nuk ka shkelur parimet e ligjshmërisë, barazisë, parashikueshmërisë ose proporcionalitetit”.
“Vendimi i panelit të Cas është përfundimtar dhe detyrues, përveç të drejtës së palëve për të paraqitur një ankesë në Gjykatën Federale të Zvicrës brenda 30 ditëve me bazë të kufizuar”. Këshillat olimpikë nga rajonet e Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia ishin njohur nga ROC. Në dhjetor, IOC njoftoi se atletët rusë dhe bjellorusë që janë kualifikuar për Lojërat Olimpike Paris 2024 do të lejohen të marrin pjesë si neutralë. Kushtet e përfshirjes së tyre përfshijnë konkurrimin pa flamuj, stema apo himne të vendit të tyre.