Rusia me kufizime të reja kundër pandemisë
Ministri i Punës në Rusi ka thënë se punëtorët, të cilët nuk vaksinohen, në zonat ku vaksinimi është bërë i detyrueshëm, do të dërgohen në pushim pa pagesë.
Këto komente ministri Anton Kotyakov i ka bërë të dielën më 20 prill dhe vijnë në kohën kur Moska, Shën Petersburgu dhe qytete të tjera ruse kanë prezantuar masat e reja kundër koronavirusit. Ndër propozimet kryesore është që vaksinimi për punëtorët e shërbimeve të bëhet i detyrueshëm.
Rusia po përballet me një valë të tretë vdekjeprurëse të pandemisë, ku gjysma e rasteve të reja janë regjistruar në Moskë.
Kryeqyteti rus më 20 qershor ka regjistruar 8 305 raste të reja me Covid, që është shifër më e ulët krahasuar me një ditë më parë. Megjithatë, kjo është shifër më e lartë krahasuar me një javë më parë, kur Moska regjistronte 3 000 raste në baza ditore, shkruan “Rel”.
Ndër ngjarjet kryesore që mund të preket nga masat e reja është edhe Kampionati Evropian i Futbollit Euro 2020”. Disa prej ndeshjeve po luhen në Shën Petersburg, qytet ku janë shënuar mbi 1 000 raste të reja me Covid-19.
Rusia ka regjistruar 129 361 viktima nga koronavirusi, është thënë në të dhënat e qeverisë, duke u bërë shteti në Evropë, i godituri më së keqi nga pandemia.