Rusia me sytë në Kosovë, Zakharova: Gjermania nisi dy luftëra botërore nga Ballkani

25 janar 2024 | 21:30

Vëmendja e Rusisë dukshëm është fiksuar në Kosovë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Moskës, Maria Zakharova, shprehu kundërshti ndaj perëndimit për mënyrën e qasjes ndaj Beogradit dhe Prishtinës. Në një intervistë për median serbe “Politika”, ajo pretendon se “problemi i Kosovës është tepër serioz”.

Duke amplifikuar ankesat e vazhdueshme dhe pa fakte të Serbisë, Zakharova akuzon Uashingtonin dhe Brukselin se përmes Prishtinës po ushtrojnë presion ndaj Beogradit për t’u shkëputur nga lidhjet me Moskën dhe për të vendosur sanksione. Në disa raste, thekson se Ballkani është një rajon i trazuar ku vihen re ende gjurmët e konflikteve dramatike të viteve ’90, duke lënë të kuptohet se është në dijeni të faktit se çdo shkëndijë nga rajoni jonë mund të shpërthejë një luftë të madhe.

“Duke kërkuar arsye për të nisur dy luftëra botërore, Gjermania i gjeti ato në Ballkan. Në këmbim të perspektivës së anëtarësimit në BE, në Ballkan imponohen narrativat politike dhe sociale të njerëzve të tjerë. Një shembull i qartë janë përpjekjet për të vendosur ndalimin e bashkëpunimit me Rusinë, që sot është një kërkesë absolute dhe e pakushtëzuar për të mos prishur marrëdhëniet me Perëndimin. Për fat të keq disa vende të Ballkanit nuk kanë pasur vullnet politik për t’i rezistuar këtij ultimatum”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Kjo konfirmon edhe njëherë shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, se Rusia nuk ka hequr dorë nga ndërhyrjet në Ballkanin Perëndimor. Zyrtarja e Moskës lëshon kritika të shumta në drejtim të Gjermanisë, duke e fajësuar për nxitjen e konfliktit të përgjakshëm që solli në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ndër të tjerë, Zakharova, kundërshton planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, pasi sipas saj, bie në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta e përditshme “Epoka e re” këtë të enjte ka…