Rusia nderon ushtarët të cilët arrestuan të dyshuarit për sulmin e Moskës
Rusia u ka ndarë medalje nderi dhe shtetërore të hënën dy njësive të vendosura në rajonin perëndimor Briansk, në kufi me Ukrainën dhe Bjellorusinë, për shkak të rolit të tyre në kapjen dhe arrestimin e të dyshuarave për sulmin në një sallë koncertesh pranë Moskës, ku janë vrarë së paku 137 njerëz dhe janë plagosur 180 të tjerë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka raportuar të hënën se çmimi shtetëror për guxim dhe çmimi ushtarak për përsosmëri ushtarake i është prezantuar zëvendëskomandantit të Qarkut Ushtarak të Leningardit, gjenerallejtënant Esedulla Abachev, gjatë një ceremonie në bazën e njësiteve.
Zyrtarët rusë kanë thënë se 11 njerëz janë arrestuar në lidhje me sulmin e 22 marsit në sallën e koncerteve Crocus në periferinë e Moskës, Krasnogorsk, përfshirë katër të dyshuar si kryerës të sulmit.
Më 24 mars, një gjykatë në Moskë ua ka caktuar masën e paraburgimit me kohëzgjatje dy muaj katër të akuzuarve për terrorizëm në lidhje me sulmin ndaj sallës së koncerteve pranë Moskës.
Gjykata i ka zbuluar emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov dhe Faridun Shamsiddin, duke thënë se ata janë shtetas të Taxhikistanit.
Ata e kanë pranuar fajin për të gjitha akuzat, sipas gjykatës, raporton “Rel”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se pritet ta mbajë një takim të Këshillit të Sigurimit rus, për të biseduar për sulmin gjatë kësaj jave, raporton televizioni shtetëror rus.
Dëshmi se katër të akuzuarit mund të jenë torturuar gjatë arrestimit nga forcat e sigurisë ruse, janë duke dalë në sipërfaqe vazhdimisht.
Ata kanë dalë para gjykatës me mavijosje, njolla gjaku dhe me fytyra të ënjtura.
Rajabalizoda, të cilit është thënë se i është këputur veshi gjatë arrestimit, kishte një fashë në pjesën e djathtë të kokës. Nuk ka konfirmim zyrtar se veshi i tij është këputur, ndërsa pjesa e djathtë e lëndimit të kokës së tij nuk është zbuluar në sallën e gjyqit.
Më herët, kanalet ruse në “Telegram”, të lidhura me agjentët e sigurisë, e kanë publikuar një video e cila ka shfaqur isa burra duke ia prerë një pjesë të veshit të Rajabalizodas dhe duke tentuar ta detyrojnë ta hajë atë.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Fontanka, videoja është publikuar së pari nga kanale të lidhur me grupin famëkeq mercenar, Wagner.
Më 24 mars, kanali Grey Zone në Telegram, i cili gjithashtu është i lidhur me grupin Wagner, e ka publikuar një fotografi ku shihen burra duke e torturuar të dyshuarin Faridun Shamsiddin.
Fotografia shfaq një radio ushtarake e lidhur me tel me organet gjenitale të të dyshuarit, një formë e dokumentuar mirë e torturës me shok elektrik e përdorur në ushtrinë ruse.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka quajtur “të përgjakshëm, barbarë dhe terrorist” sulmin gjatë një fjalimi më 23 mars, ku nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin.
Ai ka pretenduar se Ukraina ishte e përfshirë, gjë që është mohuar kategorikisht nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë më 24 mars se Ukraina nuk ka gisht në këtë masakër.
Shteti Islamik “është përgjegjësi i vetëm për këtë sulm. Nuk ka pasur aspak përfshirje ukrainase në këtë”, ka thënë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.
Sulmi në sallën e koncerteve Crocus ishte më i rëndi në Rusi prej sulmit në shkollën Beslan më 2004, gjatë të cilit ishin vrarë 333 njerëz, shumica e tyre fëmijë.