Rusia nis sulme intensive ndaj Ukrainës, një raketë bie në Bjellorusi

29 dhjetor 2022 | 13:35

Agjencia shtetërore e lajmeve “BelTA” e Bjellorusisë, ka raportuar se një raketë ukrainase “S-300” kishte rënë në territorin e Bjellorusisë gjatë një prej sulmeve më të mëdha raketore të Rusisë kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës.

Ministria e Mbrojtjes e Minskut është duke hetuar nëse sistemet e mbrojtjes ajrore të Bjellorusisë e kishin rrëzuar raketën ose ishte një gabim, raporton Reuters.

Incidenti ka ndodhur midis orës 10:00 dhe 11:00 të mëngjesit, rreth kohës kur Rusia po gjuante shumë raketa drejt Ukrainës.

Agjencia e lajmeve “BelTA” ka theksuar se raketa që ka rënë në Bjellorusi kishte ardhur nga territori ukrainas. Ajo ka publikuar një foto të asaj, duke shkruar se ishin pjesë të një rakete “S-300” të shtrirë në një fushë të zbrazët bujqësore. “BelTA” ka raportuar se nuk kishte informacion për viktima.

Kievi ka përdorur sistemin “S-300” për të kapur raketat ruse në hyrje, ndërsa Rusia duket se përdor raketa të ripërdorura “S-300” për të sulmuar objektivat tokësorë – diçka që analistët ushtarakë kanë thënë se mund të jetë një shenjë se rezervat e saj të raketave po pakësohen.

Bjellorusia e ka lejuar Moskën të përdorte territorin e saj si pikënisje për pushtimin e Ukrainës në shkurt, por ka këmbëngulur se nuk është duke marrë pjesë në luftë dhe nuk do të marrë pjesë. /abcnews.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…