Rusia nuk do të kërkojë kalim të menjëhershëm të pagesës së gazit me rubla
Rusia nuk do të kërkojë që menjëherë blerësit të paguajnë me rubla eksportet e gazit,ka bërë me dije Kremlini, duke premtuar kalim gradual.
Sipas Kremlinit, Moska duhet të punojë në idenë për të zgjeruar listën e vendeve që duhet ta paguajnë gazin me monedhën kombëtare ruse.
Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar që për gazin rus që përbën rreth 40 për qind të nevojës së shteteve evropiane për gaz, shtetet të paguajnë me rubla dhe jo me dollarë dhe euro.
Ndërsa Qeveria, Banka Qendrore ruse dhe “Gazprom”-i pritet të prezantojnë më 31 mars mënyrën se si do të bëhet ky ndryshim i pagesës.
I pyetur nëse pagesat me rubla do të nisin nga 31 marsi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “absolutisht jo”.
“Siç e kemi diskutuar edhe më herët, pagesat dhe dërgesat në kohë janë një proces që merr kohë… Kjo nuk nënkupton që nga nesër për dërgesat do të duhet të paguhet me rubla. Nga aspekti i teknologjisë, ky është një proces më i ngadalshëm”, ka thënë ai.
Putini ka thënë se ky vendim do të prek shtetet “jomiqësore”, teksa monedha ruse ka arritur në nivelin e saj më të ulët pas vendosjes së sanksioneve të ashpra Perëndimore ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ndërkaq, çmimet e gazit në Evropë, që prej nisjes së luftës, janë rritur.
Kjo kërkesë e Rusisë është hedhur poshtë nga shtetet evropiane, të cilat kryesisht paguajnë me euro për furnizimet me gaz rus. Ato kanë thënë se një ndryshim i tillë i formës së pagesës përbën shkelje të kontratave.