Rusia nuk respekton armëpushimin, sulmon me raketa Ukrainën
Ukraina ka raportuar për sulme nga Rusia pas njoftimit për armëpushim.
Forcat ruse kanë sulmuar qytetin Kramatorsk në lindje të Ukrainës, ka bërë me dije në rrjetet sociale, zëvendësdrejtori i administratës presidenciale, Kyrolo Tymoshenko.
“Pushtuesit kanë goditur qytetin me raketa dy herë”, ka thënë ai pas fillimit të supozuar unilateral të armëpushimit nga Rusia.
Sipas burimeve të “AFP”-së, ukrainasit dhe reporterët kanë dëgjuar bombardime në qytetin Bakhmut të premten pas orës 11:00, kur armëpushimi rus duhej të hynte në fuqi. Ata kanë thënë se bombardimet nuk ishin të fuqishme si ato të ditëve të fundit.
Pak para njoftimit të Moskës për armëpushim është raportuar nga autoritetet ukrainase se forcat ruse kanë sulmuar qytetin jugor Kherson, ku kanë mbetur disa njerëz të vdekur dhe të plagosur.