Rusia nxjerr lista të vrarësh në Ukrainë, por shqiptarë në luftë atje s’ka, thotë Rama

20 qershor 2022 | 23:20

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka lëshuar një kundërdeklaratë përgënjeshtruese ndaj shifrave të publikuara prej Ministrisë së Mbrojtjes ruse dy ditë më parë, ku thuhej se 150 mercenarë nga Shqipëria kishin shkuar në Ukrainë për të luftuar dhe një pjesë e tyre ishte vrarë.

“Del lista e të vrarëve të skalioneve ndërkombëtare në Ukrainë dhe Lavrovi nuk flet për të tjerët flet vetëm për shqiptarët dhe kosovarët”, deklaroi Rama gjatë inaugurimit të librit “Përplasja e madhe”, i ish-kryediplomatit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas kreut të Qeverisë, shifrat janë tërësisht të pabazuara. Kjo, sepse vetë Shqipëria, nuk ka të dhëna për shqiptarët të vrarë në Ukrainë.

Ai përmendi edhe faktin se shumë shpesh, prej Vladimir Putinit apo Sergey Lavrovit, Kosova risillet si çështje për të goditur perëndimin.

Mirëpo, sërish, edhe në këtë rast, gjithçka është në funksion dhe në konvergim të interesave të Rusisë dhe jo sepse vetë ajo e Kosovës, është çështje me rëndësi për Moskën.

Madje, Rama mendon edhe se Kremlini ka gisht në ngritjen e Gjykatës Speciale, e cila mban momentalisht prapa hekurave figura të larta politike të Prishtinës, mes të cilëve ish-presidenti Hashim Thaçi.

Këtë gjykatë, kryeministri mendon se shqiptarët nuk duhet ta pranojnë dhe duhet ta kthejnë në faktor përbashkues të qenit kundër gjykimit që po i bëhet jo thjesht individëve, por gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së shqiptarëve atje për liri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojë këtë javë bisedime…