Rusia paralajmëron NATO-n kundër anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës

14 prill 2022 | 11:55

Rusia të enjten ka paralajmëruar NATO-n se nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake, atëherë Rusia do të duhet të forcojë mbrojtjen e saj dhe se nuk mund të flitet më për një Baltik “të lirë nga armët bërthamore”.

“Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Baltikun – ekuilibri duhet të rivendoset”.

“Deri më sot, Rusia nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk do të merrte”,  ka thënë Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, të mërkurën ka thënë se Helsinki është afër marrjes së vendimit që “brenda javësh” të aplikojë për anëtarësim në NATO, në ndërkohë që sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po vazhdon, raporton “Rel”.

“Unë mendoj se do të ndodhë shumë shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”, ka thënë kryeministrja Sanna Marin para gazetarëve të mërkurën më 13 prill në Stokholm.

Ndërsa homologia suedeze e kryeministres Marin, Magdalena Andersson, ka paralajmëruar gjithashtu një ndryshim të madh të politikës për shtetin e saj, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës, duke thënë në të njëjtën konferencë për shtyp se, për shkak të situatës së sigurisë, Stokholmi po kërkon gjithashtu t’i bashkohet NATO-s.

Anëtarësimi në NATO i njërit prej këtyre shteteve – ose i të dy shteteve – do të ishte një ndryshim i madh për sigurinë e Evropës dhe një tregues se sa të tronditura janë shumë vende evropiane nga pushtimi rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletico Madrid është eliminuar nga Liga e Kampionëve, por trajneri…