Rusia pas vendimit për avionët luftarakë në Ukrainë: NATO është ‘bandë lufte’
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka kritikuar vendimin e SHBA-së për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë, ndërsa e cilësoi NATO-n si një “bandë lufte”.
Zakharova tha se planet për të ofruar avionë luftarakë F-16 në Ukrainë tregojnë se Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një “bandë lufte” që lufton Rusinë.
Reagimi i përfaqësueses ruse erdhi pas deklaratës së sotme të sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken, i cili tha se grupi i parë i avionëve luftarakë F-16 tashmë është nisur drejt Ukrainës nga Danimarka dhe Holanda, të cilët do të fluturojnë mbi qiellin e Ukrainës këtë verë.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se ndërsa flasim, transferimi i avionëve F-16 nga Danimarka dhe Holanda në Ukrainë është duke u zhvilluar, tha kryediplomati amerikan, duke folur në margjinat e samitit të NATO-s.
“Këta avionë do të fluturojnë në qiellin e Ukrainës këtë verë,” shtoi ai.