Rusia: Përfunduam stërvitjet ushtarake në Krime, ushtarët po kthehen në garnizonet e tyre
Rusia të mërkurën njoftoi se po përfundon stërvitjet e saj ushtarake në Krime, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Njoftimi vjen një ditë pasi Rusia njoftoi se do të tërheqë disa nga trupat e saj, përcjell Telegrafi.
“Njësitë e Qarkut Ushtarak Jugor, pasi kanë përfunduar pjesëmarrjen e tyre në stërvitjet taktike, po lëvizin në pikat e tyre të përhershme të vendosjes”, u citua të ketë thënë një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes.
Ndërkohë raportohet se televizioni shtetëror rus tregoi imazhe të njësive ushtarake që kalonin një urë që lidh gadishullin e kontrolluar nga Rusia me kontinentin.
Sipas një raporti të mediave botërore, fuqitë perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar të shohin prova për këtë pasi kriza Rusi-Ukrainë ka goditur tregjet globale dhe ka përshkallëzuar tensionet gjeopolitike.