Rusia përjashtohet nga rrjeti SWIFT, u ngrihen asetet oligarkëve rusë
Në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e Komisionit Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, kanë njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja për Rusinë.
Një prej masave është edhe përjashtimi i bankave ruse nga sistemi SWIFT, një sistem i pagesave ndërkombëtare.
“Këto banka do të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtohet aftësia e tyre për të operuar në nivel global”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
Një masë tjetër kufizuese që pritet të vendoset është edhe pengimi i Bankës Qendrore Ruse, që t’i vendosë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyrë që ta minojë ndikimin e sanksioneve të këtyre shteteve.
Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara zotohen se do të angazhohen që të veprojnë kundër njerëzve dhe subjekteve që lehtësojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse.
Mes të tjerash, po ashtu, paralajmërohen sanksione financiare ndaj zyrtarëve dhe elitave ruse të afërta me qeverinë e Rusisë, si dhe familjeve të tyre, si dhe mundësive të tyre për të identifikuar dhe ngrirë pasuritë që ata mbajnë në juridiksionet e këtyre shteteve që paralajmëruan vendosjen e sanksioneve.
Në njoftim thuhet se do të rritet koordinimi kundër dezinformimit dhe formave të tjera të luftës hibride.
Që nga nisja e aksionit të pushtimit të Ukraninës, Rusisë i janë vendosur një serë sanksionesh nga shtetet përendimore.
Ato së fundi kanë dhuruar edhe ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë anti-tank dhe armë kundërajrore./ REL