Rusia pezullon pjesëmarrjen në traktatin me SHBA-në për armët bërthamore
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në traktatin me Shtetet e Bashkuara që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dyja palëve.
“Në këtë aspekt, jam i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”, ka thënë Putin në fjalimin para kombit.
Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.
Putin ka thënë, po ashtu, se Rusia duhet të jetë e gatshme që të testojë armët bërthamore, nëse Shtetet e Bashkuara e kryejnë të parat një testim të tillë.
I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.
I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur fatkeqësi dhe papërgjegjësi vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga ky traktat.
“Ne do t’i shikojmë me kujdes veprimet e Rusisë. Natyrisht, do të sigurohemi që në secilin rast të garantojmë sigurinë e shtetit tonë dhe të aleatëve tanë. Kur kemi nisur mandatin e kësaj administrate, e kemi zgjatur kohën e [traktatit] START-i i Ri, sepse ka qenë në interesin e shtetit tonë dhe në interesin e Rusisë. Kjo vetëm sa e vë në pah çfarë hapi i papërgjegjshëm është ky”, ka thënë Blinken para gazetarëve në Athinë.
Megjithatë, ai deklaruar se SHBA-ja mbetet e hapur për të biseduar në çdo kohë me Rusinë për kufizimet në armët strategjike, pavarësisht asaj që ndodh në botë, apo “në raportet tona”.
“Është diçka që edhe pjesa tjetër e botës e pret prej nesh”.