Rusia po pëson humbje të mëdha në Ukrainë, ende se ka kuptuar fuqinë e ushtrisë ukrainase
Rusia është duke pësuar humbje “të mëdha” që prej se nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, ka thënë zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke shtuar se numri i ushtarëve rusë është mbi 10 mijë.
“Mendoj se, fatkeqësisht rusët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht sesa e fortë është ushtria ukrainase”.
“Pala ruse po pëson humbje shumë të mëdha – dhe sipas vlerësimeve tona, janë mbi 10 mijë rusë të vdekur”, ka thënë nënsekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland në një intervistë për “Current Time”.
Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia vetëm dy herë ka dhënë shifra sa i përket ushtarëve që i janë vrarë. Shifrat e prezantuara nga Rusia kanë qenë më të ulëta krahasuar me vlerësimet e paraqitura nga Perëndimi dhe Ukraina.
Më 2 mars, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë kishte thënë se 498 ushtarë ishin vrarë, ndërkaq më 25 mars, raportoi për 1 mijë e 351 ushtarë të vrarë rusë. Ndërsa zyrtarët ukrainas kanë thënë se numri i ushtarëve të vrarë rusë është mbi 17 mijë.
Shifrat e prezantuara nga Rusia dhe Ukraina janë të pamundura që të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Nuland ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur rundin e bisedimeve Ukrainë-Rusi që është mbajtur më 29 mars në Stamboll, por ka theksuar se pa ndalimin e armiqësive nuk mund të zhvillohet asnjë negociatë serioze.
“Derisa nuk ka një armëpushim të vërtetë, nuk mendoj se do të shohim bisedime serioze”, ka thënë ajo.
Më tutje, Nuland ka thënë se vendimi i Moskës për të ripozicionuar forcat e saj, siç ka njoftuar më 29 mars zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Aleksandr Fomin, ishte “rezultat i drejtpërdrejtë i rezistencës së fortë që ukrainasit po bëjnë jashtë Kievit dhe në Çernihiv”.
“Megjithatë, ne e dimë se ky është vetëm ripozicionim i forcave ruse dhe ata do të shkojnë në pjesë të tjera të Ukrainës dhe do të vazhdojnë ta bombardojnë Mariupolin e Hersonin dhe pjesë të tjera të vendit”.
“Zgjidhjet diplomatike të konfliktit zakonisht vijnë pas një armëpushimi, jo në mes të luftimeve. Dhe rusët absolutisht nuk kanë qenë të gatshëm të ketë një armëpushim të plotë në mënyrë që negociatat të bëhen serioze”, është shprehur Nuland, duke shtuar se kushdo që negocion për dhënien fund të konfliktit duhet të sigurojë se Ukraina do të jetë në gjendje në të ardhmen të parandalojë përsëritjen e agresionit.
“Prandaj, Ukrainës do t’i duhet një lloj mbështetjeje e sigurisë për arsenalin e saj që iu desh të përdorte në këtë konflikt, nëse i duhet që ta ndalë Rusinë që të tentojë sërish. Prandaj, ne do të vazhdojmë, që së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, të ofrojmë mbështetje të fuqishme të sigurisë për Ukrainën”, ka thënë Nuland.
E pyetur nëse Perëndimi do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për sisteme të mbrojtjes ajrore nga shtetet që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, Nuland ka thënë, pa dhënë detaje, se “e konfirmoj se jemi duke e shqyrtuar këtë gjë dhe veçse kemi ofruar mbështetje të rëndësishme të sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën”, raporton “Rel”.
Po ashtu, ajo ka paralajmëruar se nëse Rusia nuk e ndalon agresionin e saj ndaj Ukrainën rrezikon që të përballet me më shumë sanksione nga Perëndimi.
“Për aq kohë sa lufta vazhdon, ne dhe aleatët e partnerët tanë planifikojmë të rrisim presionin ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe Qeverisë së tij në baza javore dhe do t’ia mohojmë atij paratë që i duhen për makinën e tij të luftës”, ka thënë zyrtarja e lartë amerikane.