Rusia po rindërton kapacitete për ta destabilizuar Evropën, përmendet Kosova

21 shkurt 2024 | 08:25

Rusia është duke rindërtuar kapacitete për t’i destabilizuar shtetet evropiane dhe për të zgjeruar ndikimin në Lindje të Mesme dhe Afrikë, duke krijuar kështu kërcënim strategjik për NATO-n dhe anëtarët e saj, të cilët janë të fokusuar te lufta në Ukrainë, vlerëson një institut me bazë në Mbretëri të Bashkuar.

Hulumtuesit e Institutit Royal United Services [RUSI], kanë argumentuar se kombet perëndimore duhet të bëjnë më shumë për të luftuar Moskën dhe taktikat e saj të një lufte jokonvencionale, nëse dëshirojnë të kenë sukses në mposhtjen e Rusisë në Ukrainë.

“Përderisa lufta në Ukrainë po zgjatet, Rusia ka interes që të krijojë kriza përtej”, kanë thënë autorët Jack Watling, Oleksandr V. Danylyuk dhe Nick Reynolds, duke e përmendur edhe Ballkanin si rajon të njohur tashmë për kryerje të këtyre veprimeve të liga.

“Rusia ka interes edhe në destabilizim të partnerëve të Ukrainës dhe me ofrimin e zgjedhjeve nëpër Evropë, ekzistojnë një mori mundësish për të rritur ndasitë”, kanë thënë autorët.

Raporti prej 35 faqesh nga ky institut, i themeluar më 1831, është publikuar më 20 shkurt, vetëm disa ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Meqenëse përpjekjet ruse për të destabilizuar shtetet sikurse Moldavia kanë dështuar, kryesisht për dëbimit masiv të operativëve të Kremlinit, ushtria ruse është duke i forcuar kapacitet për të lansuar sulme jokonvencionale, është thënë në raport.

Duke i përdorur dokumentet e siguruara prej shërbimeve sekrete ruse dhe intervistave me zyrtarë në Ukrainë, dhe në disa shtete evropiane, në raport vihet në pah narrativa ruse për të zgjeruar ndikimin përtej konfliktit në Ukrainë.

Pse përmendet Kosova në raport?

Mes tjerash, në raport përmendet edhe se si shtrirja e ndikimit bëhet, po ashtu, përmes shoqatave të ndryshme bamirëse, dhe ndër to është Fondacioni Ahmat Kadyrov, i cili tenton të popullarizojë Kadyrovin si figurë fetare.

Punë të ngjashme bën edhe entiteti Forumi Islamik Evropian.

“Organizata është sidomos aktive në Ballkan, ku ka krijuar lidhje me përfaqësues autoritarë myslimanë (jo vetëm fetarë, po edhe figura politike) në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Greqi dhe Rumani”.

Në korrik të vitit 2021 në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ka qëndruar për vizitë një delegacion nga Forumi Mysliman Evropian (EMF) i kryesuar nga kryetari i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Delegacionin e Forumit Mysliman Evropian, e kishte pritur në takim myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij, por ata nuk e kishin shqyrtuar gjatë se çfarë paraqiste ky forum dhe kush ishte drejtuesi i tij, Abdul-Wahed Niyazov.

Forumi Mysliman Evropian, është organizatë që ka selinë në Bruksel, dhe është themeluar në tetor të vitit 2018.

Disa nga qëllimet e këtij Forumi, të cekura në faqen e tij të internetit janë: integrimi i migrantëve myslimanë në shoqërinë evropiane, ndihma në ndërtimin dhe zhvillimin e xhamive dhe qendrave kulturore islamike në vendet evropiane, organizimi i aktiviteteve që synojnë popullarizimin e trashëgimisë kulturore islame evropiane, zhvillimi i projekteve arsimore në internet për të arritur një audiencë më të gjerë nga të rinjtë myslimanë, zhvillimin e industrisë hallall në vendet evropiane, etj.

Drejtuesi i Forumit, Niyazov, kryeson gjithashtu Qendrën Kulturore Islamike të Moskës, një departament publik i këshillit zyrtar të myftiut rus dhe gjithashtu organ i lidhur me Kremlinin.

Në Federatën Ruse, Niyazov konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej vitit 1999 e deri në vitin 2003, ka qenë përfaqësues i partisë së Putinit në Dumën ruse. /REL

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten, qeveria amerikane planifikon të shpallë një paketë të…