Rusia prezantoi nëndetësen e pakapshme, SHBA prezanton “Gjahtarin”
Shtetet e Bashkuara janë të vendosura që të ruajnë avantazhin që kanë ndaj rivalëve ushtarakë edhe kur bëhet fjalë për flotën detare.
Marinës amerikane iu bashkua “droni ujor”, i quajtur “Gjahtari i Detit”. Bëhet fjalë për një mjet me teknologjinë më të avancuar dhe pa ekuipazh, prodhuar dhe testuar për dy vite me radhë nga DARPA (Defence Advanced Research Projects Agency).
Qëllimi i “Gjahtarit”, ashtu siç ka edhe emrin është vetëm një: lokalizimi dhe asgjësimi (kur i kërkohet) i nëndetëseve. “Droni ujor” ka një gjatësi prej 40 metrash dhe është në gjendje që të udhëtojë me një shpejtësi deri në 50 kilometra në orë dhe të qëndrojë në oqeane për ditë me radhë pa asnjë person në bord, por thjesht duke u komanduar nga distanca.
Nga ekspertët ushtarakë, “Gjahtari” interpretohet si një kundërpërgjigje ndaj Rusisë, që pak muaj më parë prezantoi nëndetësen “Knyaz Vladimir”(Princi Vladimir), që rusët thonë se është praktikisht e pakapshme nga radarët dhe në gjendje që të transportojë disa mbushje bërthamore njëkohësisht./tch