Rusia qet kushte për zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë
“Një zgjidhje politike dhe diplomatike e krizës ukrainase është ende e mundur, por me kushtin e denazifikimit dhe demilitarizimit të Ukrainës, si dhe kthimit të saj në një status neutral dhe të paangazhuar”, tha përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasiliy Nebenzya, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën.
Ai theksoi se është e rëndësishme që të drejtat e qytetarëve ukrainas që flasin rusisht dhe të pakicave kombëtare të sigurohen plotësisht, gjë që do të eliminonte shkaqet rrënjësore të luftës, raporton RIA Novosti.
Kina i kërkon ShBA-së të mos përdorë konfliktin e Ukrainës për ta avancuar strategjinë e saj gjeopolitike, tha zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang.
“Ne dëshirojmë ta tërheqim vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se largimi i vëmendjes dhe zhvendosja e fajit nuk është mënyra e duhur për ta zgjidhur krizën ukrainase”, theksoi ai, sipas Tanjug.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së filloi me një minutë heshtje për shkak të vdekjes së presidentit iranian Ebrahim Raisi në një aksident me helikopter.