Rusia reagon pasi Kosova ia shpalli “non-grata” dy zyrtarë: Provokim i qëllimshëm
Rusia ka reaguar nëpërmjet Ministrisë së saj të Jashtme për vendimin e Kosovës që të shpallën “non-grata” dy zyrtarë të saj.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë Maria Zaharova, ka thënë të shtunën se ky vendim nuk do të ketë pasoja për statusin juridik të tyre.
“Ne supozojmë ky hap i administratës së Prishtinës nuk do të ketë asnjë pasojë për statusin juridik të diplomatëve të përmendur rusë”, ka thënë Zaharova.
Ajo e ka quajtur “provokim të qëllimshëm” këtë vendim, dhe në favor të, siç shtoi, projektit perëndimor të Qeverisë së Kosovës, e cila sipas saj po ndjek një politikë agresive të drejtuar kundër Rusisë dhe rolit të saj konstruktiv në Ballkan.
“I bëjmë thirrje UNMIK-ut dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë, në kuadër të kompetencave të tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të garantojnë sigurinë dhe kushtet e nevojshme për punën normale të personelit të zyrës ruse në Prishtinë. Ne presim garanci të duhura me shkrim nga administrata e OKB-së”, ka thënë ajo.
Zaharova ka thënë se zyrtarët e dëbuar janë akredituar nga UNMIK-u.
Rusia i ka bërë thirrje misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK dhe forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO, që të reagojnë.
Të premten, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë kësaj jave kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që t’i shpallte “non grata” dy zyrtarë të Rusisë që kanë punuar në Zyrën Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
Osmani ka thënë se aktiviteti i tyre e ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.