Rusia sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës me breshëri raketash
Rusia lëshoi breshëri raketash mbi gjithë territorin e Ukrainës, duke sulmuar infrastrukturën energjetike të vendit, më 9 mars.
Autoritetet ukrainase thanë se për shkak të sulmeve, u plagosën njerëz dhe u dëmtuan ndërtesa banimi.
Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan për orë të tëra në të gjithë vendin, përfshi kryeqytetin e Kievit, ku edhe ndodhën shpërthime në dy zona perëndimore. Sistemet e mbrojtjes u aktivizuan në të gjithë vendin dhe nuk ishte e qartë se sa raketa goditën objektivat.
Në Ukrainën lindore, 15 raketa goditën Harkivin dhe rajonin periferik verilindor, duke goditur ndërtesat e banimit.
Guvernatori i rajonit jugor të Odesës, Maksym Marchenko, gjithashtu raportoi për sulme mbi objektet e energjisë dhe ndërtesat e banimit në këtë qytet.
Termocentrali bërthamor i Zaporizhjas, i cili është i pushtuar nga forcat ruse, ka humbur energjinë si rezultat i sulmeve me raketa, sipas operatorit shtetëror bërthamor, Energoatom, raporton TCh.
Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko i cilësoi sulmet si “një tjetër sulm masiv barbar në infrastrukturën energjetike të Ukrainës”, duke thënë se objektet në rajonet e Kievit, Mykolaivit, Harkivit, Zaporizhjas, Odesës, Dnipropetrovskut dhe Zhytomirit ishin shënjestruar.
Hekurudhat e Ukrainës raportuan ndërprerje të energjisë në zona të caktuara, me 15 trena të vonuar deri në një orë.