Më shumë se 11 muaj që kur ka nisur pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, luftimet janë përqendruar në Bahmut, në afërsi të qytetit Kermina në verilindje dhe në rajonin jugor të Zaporizhjës.
Kievi i ka bërë thirrje partnerëve të tij perëndimorë që t’i ofrojnë më shumë armatim, përshirë tanke të rënda, pasi Rusia duket se po bëhet gati për një operacion të shkallës së gjerë që do të shkojë përtej rajonit të Donbasit.
Bazuar në njoftimet e bëra së fundmi për reforma në ushtri, Moska po ashtu po përgatitet që ta zgjerojë kërcënimin ushtarak konvencional përtej luftës në Ukrainë, ka thënë inteligjenca britanike.
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë e bëri këtë vlerësim në janar, kur komentoi njoftimin e ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, se reformat do të shtonin 1.5 milion personel ushtarak brenda tre vjetësh dhe do të rivendoseshin dy rrethe ushtarake në Rusi.
Planet “sinjalizojnë se lidershipi rus ka shumë të ngjarë të vlerësojë se një kërcënim i zgjeruar ushtarak konvencional do të zgjasë për shumë vite, përtej luftës aktuale në Ukrainë”, tha inteligjenca britanike.
Megjithatë, Britania shtoi se “Rusia ka shumë të ngjarë që të ketë vështirësi të gjejë staf dhe pajisje për të realizuar këtë zgjerim”.