Rusia sulmon për herë të parë dy qytetet ukrainase
Janë sulmuar për herë të parë dy qytetet ukrainase që deri tash nuk ishin prekur nga lufta. Bëhet fjalë për qytetin Lutsk dhe Dnipro, raporton BBC.
Mediat ukrainase raportojnë se natën e fundit shpërthime të fuqishme janë regjistruar në qytetet e Lutsk dhe Dnipro, të cilat ende nuk e kishin ndjerë luftën pranë.
Në Lutsk bombardimet ruse shënjestruan një aeroport, ndërsa zyrtarët flasin dhe për një fabrikë ku riparoheshin avionët luftarakë.
Ndryshe, që nga 24 shkurti kur nisi pushtimi rus në Ukrainë janë vrarë të paktën 71 fëmijë dhe më shumë se 100 janë plagosur, tha të enjten një zyrtar i Parlamentit ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, u bëri thirrje ushtarëve rusë që të dorëzohen.
Vullnetarët thonë se qytetarët në Ukrainë kanë nevojë për ushqim dhe ujë.
Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, shumë njerëz në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit, tani kanë mbetur pa ushqim për fëmijët e tyre.
Agjencia e shëndetit riprodhues të Kombeve të Bashkuara njoftoi të enjten se dy maternitete të tjera ukrainase janë sulmuar dhe shkatërruar para sulmit rus të së mërkurës në Mariupol.