“Rusia synon të destabilizojë Kosovën dhe rajoni”, ShBA: Po punojmë për të minimizuar rreziqet

13 korrik 2024 | 12:04

Departamenti Amerikan i Shtetit është i shqetësuar në lidhje me nivelin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Në një përgjigje për Radio Evropën e Lirë, DASh ka vlerësuar rreziqet m të cilat po përballen vendet e rajonit tonë, duke përmendur edhe ndikimin e Rusisë në krejt këtë “mesele” gjeopolitike.

Sipas DASh-it, ShBA-ja po punon që të neutralizojë qëllimet malinje të Rusisë, duke forcuar bashkëpunimin rjaonal. Duke folur për veriun e Kosovës, por edhe Bosnjën, DASh është shprehur i shqetësuar që rreziqet lokale do të mund të shndërrohen në tensione serioze.

“Ne mbesim të shqetësuar lidhur me rrezikun që tensionet lokale të shndërrohen në tensione serioze politike që mund të stagnojnë shtetet e rajonit, si për shembull në veri të Kosovës dhe duke pasur parasysh kërcënimet për shkëputje në Bosnje e Hercegovinë. Ne po vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të minimizuar këto rreziqe” – tha një zëdhënës i DASH-it.

Tutje, DASh theksoi se po punon që të avancohen reformat në Ballkanin Perëndimor “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe do të sillnin paqe, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

Për ShBA-në është e qartë që Rusia nuk e mbështet të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë” – tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

“Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve”, thanë nga DASH-i.

Sjellim ndër mend që në vazhdimësi krerët institucionalë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë paralajmëruar për rreziqet e një sulmi të mundshëm nga ana e Serbisë. Gjatë një interviste në CNN këtë javë, Kurti tha se Serbia aktualisht ka 48 baza operative përrreth kufirit të Kosovës, secila e pajisur me pajisje ushtarake ruse dhe kineze.

“Ata janë të angazhuar edhe në luftë hibride dhe në të njëjtën kohë kanë këto stërvitje ushtarake në afërsi të kufirit tonë. Ata kanë 48 baza operative përpara rreth kufirit të Kosovës në pritje të një dritareje të re të mundësive.

Çfarë kërkojmë nga partnerët tanë demokratikë perëndimorë që të bëjnë presion ndaj Beogradit në mënyrë që të çmontojë këto 48 baza operative përpara, ku secila prej tyre ka 50 deri në 150 ushtarë dhe oficerë dhe aty pranë ka një pajisje, municione dhe armatim ushtarak ruse, por edhe atë kinez, përkatësisht sistemim FK3.” – tha Kurti.

Në të njëjtën linjë argumenti është edhe Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, e cila gjatë një interviste për median kroate “Veçernji list”, kritikoi disa vende perëndimore për “shumë dredhi”.

“Fatkeqësisht ka ende oportunizëm dhe shumë nënshtrim në Perëndim, siç ishte rasti me Vladimir Putin. Dhe Aleksandar Vuçiq po zbaton vazhdimisht planin e lojës së Putinit, duke mbytur median e lirë dhe shoqërinë e lirë. Nëse duam të shmangim skenarin e ardhshëm ukrainas, duhet të ndalojmë së bëri asgjë”, ka thënë Gërvalla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një foshnjë tre-mujore, e cila po qëndronte me nënën për trajtim…