Rusia synon të largohet nga OSBE-ja
Parlamenti rus do të votojë më 21 shkurt për pezullimin e pjesëmarrjes së shtetit në Asamblenë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë kreu i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin.
OSBE-ja, që ka 57 anëtarë përfshirë Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, është pasardhëse e një organizate gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, ku angazhoheshin fuqitë perëndimore dhe sovjetike.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, OSBE-ja gjerësisht është paralizuar nga përdorimi i vetos nga Rusia.
“Është koha t’i themi lamtumirë Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Organizata ka mungesë të pavarësisë, është e politizuar dhe kërcen sipas muzikës së Uashingtonit. Por, më e keqja në këtë situatë është se edhe ne paguajmë para dhe ne jemi një prej lojtarëve më të mëdhenj”, ka thënë Volodin gjatë një takimi në Dumë, dhomën e ulët të Parlamentit rus, sipas njoftimit në ueb-faqen e Dumës.
Dy dhomat e Parlamentit rus pritet të votojnë për pezullimin e pjesëmarrjes dhe ndalimit të pagesave nga Moska për OSBE-në, ka thënë Volodin.
Me partinë Rusia e Bashkuar – parti në pushtet që mbështet presidentin Vladimir Putin – që ka shumicën në Parlament, rezoluta për pezullimin e pjesëmarrjes në OSBE pritet të miratohet.
Duma po ashtu ka theksuar se është duke u shqyrtuar mundësia që Rusia të largohet nga organizata të tjera ndërkombëtare, por nuk saktësoi se për çfarë organizatash bëhet fjalë.
Ukraina dhe aleatët e Baltikut, që janë fqinj të Rusisë, kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin vjetor të ministrat të Jashtëm të OSBE-së që ishte mbajtur fundin e vitit të kaluar, për shkak se në mbledhje kishte marrë pjesë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. /REL